Updated on Dhjetor 31, 2015
Stereotipi “Nuk bëhët Shqipëria me Shqiptarë”
Fraza klasike nga pensionistët që dëgjon ndërkohë që luajnë domino. Në fakt e kuptueshme deri diku, por kur e dëgjon nga moshatarë (që nuk rastis rrallë) fillon e dyshon që diçka mund të këtë shkuar gabim këtu; sidomos kur sheh që të gjithë jemi këta “Shqiptarët” e famshëm. Jam dakord që sistemi është i qelbur, por ai do qëndroi i tillë me këtë pesimizëm teorik që kemi.
Eshtë krijuar një stereotip i të rinjve që rrinë në kafe për orë të tëra. Realisht mendoj që ka një arsye nga ka dalë kjo, por kemi një kleçkë këtu: Pse aq shumë punëdhënës kërkojnë certifikata pafund, dije në fusha që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën dhe diplomë për një zanat komplet jo teorik?
E bukura është që kur nuk plotëson njeri këto kushte, etiketohen si stereotipat klasik që “ngelin nëpër lokale”. Pra “lë ta prekim hundën tonë, para se t’ja drejtojmë gishtin dikujt“, thotë një shprehje gjermane. Mërzitem që pjesë e këtyre “gjykuesve” janë shumë afër me profesionin tim dhe kanë 2-3 eksperienca më shumë.
Ndërkohë skena e startup-eve ende nuk ka lulëzuar ashtu siç pritet; por shfaq një karakter Hollivudian ku çdo gjë është fushë me lule dhe nuk ka njeri guxim të futet në ujin e ftohtë të “entrepreneurship-it” , dhe jo më pastaj të hidhen me kokë e këmbë. Për më tëpër as gjysma e njerëzve nuk dinë të shqiptojnë njëherë fjalën “entrepreneur“.
Por po shoh përparime këtu; dhe nëse jo praktike, të paktën kanë një impakt mbi mentalitetin e njerëzve dhe sidomos të rinjve. Gjithashtu është i mahnitshëm fakti se sa shume shumë organizata të reja janë hapur 2 vitet e fundit. Mbaj mend kur është regjistruar Open Labs, nuk ka patur as edhe një organizate të përafërt teknologjike (dhe jo më FLOSS). Sot kemi mbi 5 organizata rreth teknologjive në Tiranë. Përvec faktit që bashkëpunimi midis organizatave lë për të dëshiruar (dhe kushdo që mendon që konkurenca midis organizatave është gjë e mirë, nuk di se për çfarë po flet), mendoj që diversiteti që sjellin është pozitive.
Vertetë që ndoshta ende nuk dimë si t’i bëjmë gjërat (me të rinjtë si protagonistë në këtë skenë), por dëshira për të bërë gjëra eventualisht do na çoj sadopak përpara. Të tjerat janë teknikalitete që janë rrjedhojë e motivimit që ka një individ.
Kemi nëvojë në shumë fusha për njerëz të rinj. Ndoshta tregohem pak naiv duke qenë aq optimist, por mendoj që ka shumë oportunitete në qoftë se kërkon mirë.
Në qoftë se nuk bini dakord me mua, më bëni zë që t’jua tregoj të kundërtën nga afër.