Updated on Dhjetor 31, 2015
Taksifobia
Qëllon që gjatë orëve të vona ose ditëve me shi të bllokohesh në rrugët e qytetit në pamundësi për të lëvizur ( Tirana nuk është qyteti më i sigurtë për të lëvizur gjithashtu). Zgjidhja më e përshtatshme në këto raste është shpeshherë taksia; mëgjithëse me një çmim paksa të hidhur, të çon nga pika A deri të B relativisht shpejt dhe pa lodhje.
Si mashkull dhe përdorues jo i rregullt i taksive, nuk jam i rrahur me problematikat që sjellin taksitë; por me sa duket perversiteti i shoferave të taksive paska arritur nivele të reja; dhe sot, me rastin e ditës ndërkombëtare së gruas, do doja ta adresoja këtë problem.
Për herë të tretë dëgjoj një rast ku një shoqe tregon që taksisti më të cilën ishte në makinë kishte bërë tentativa për ta ngacmuar seksualisht. Jam shokuar që ky ngacmim nuk ngeli vetëm më fjalë por kaloi dhe në prekje. Nuk e di si mund të jetë të jesh në një situatë të tillë, por imazhi i këtij skenarit është i tmerrshëm. Çfarë mund të bësh në një situatë të tillë si një femër? Ai maniaku ka timonin në dorë dhe mund të bëj ç’të dojë me makinën. Si mund të sigurohesh që shkon në destinacionin e duhur pa asnjë incident?
Si meshkuj nuk e bëjmë shpesh këtë pyetje, por mendimi që thuajse çdo gjë në ato momente është jashtë kontrollit tënd, është shumë i tmerrshëm.
Ka patur mjaft raste të përdhunimit të femrave nga taksistë ose shofer të ndryshëm vitin e fundit. Veç kompania UBER hasi 2 skandale ku shoferi kishte përdhunuar pasagjerën që po udhëtonte vetëm me të.
Duke parë që nuk ke si t’ia dish më ke pervers mund të futesh në taksi, dua të di se çfarë mund të bësh për të udhëtuar në mënyrë të sigurtë, as më pak, as më shumë. Sigurisht, zgjedhja më e mirë është të jesh me një shok/shoqe tjetër në taksi, por nuk është kjo pikerisht arsyeja kryesore pse përdorim taksitë, për të udhëtuar në mënyrë të sigurtë e të shpejtë brenda qytetit kur jemi vetëm?
Jam mjaft i shqetësuar rreth ngjarjeve të tilla dhe janë gjëra për të cilat duhet ngritur zëri; sidomos sot, gjatë ditës së gruas.
Nuk do doja që taksifobia të kthehet në një fenomen më të përhapur. Pasoja psikologjike që sjellin me vete ngjarje të tilla janë të paimagjinueshme.