Updated on Gusht 2, 2016
Ligji i ri për taksimin e blerjeve online
Nëse nuk keni jetuar poshtë një shkëmbi në javët e fundit me siguri do keni marrë vesh që qeveria shqiptare miratoi ligjin e ri për uljen e kufirit për blerjet online që do të taksohen. Konkretisht kjo do të thotë që çdo gjë mbi vlerën e 22 Euro (3000 Lek) do të taksohet me 2-15% doganë si dhe 20% TVSH. Më parë ky kufiri ka qenë afërsisht 143 EUR (20000 Lek). Pra kufiri është ulur thuajse 7x.
Një fragment i shkëputur nga artikulli i Shqiptarja.com:
Kjo është vendosur në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave. Me anë të një VKM-je, është përcaktuar që mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro, konsiderohen të pataksueshme.
Nga ana tjetër, u vendos që dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, po kaluan në vlerë 45 euro, sërish do të taksohen.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Deri tani, kufiri i pataksueshëm për këtë kategori mallrash ka qenë 150 euro. Ky veprim, sipas financave, bëhet për të shmangur në këtë mënyrë konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.
Ndërkohë në Maj 2014 u vendos rritja e kufirit nga 10000 Lek (të reja) në 20000 Lek (pra siç ishte ende para disa javësh). Me çfarë arsyetimi ndodhi përsëri ky ndryshim tani? Përse miratohet një ligj dhe 2 vite më vonë praktikisht anullohet dhe kthehet në ekstremin tjetër? CIli është argumenti që i vjen në favor konsumentit shqiptar si dhe biznesit të vogel këtu? Mund të shoh shume avantazhe për biznesin e madh në Shqipëri që mund të përfitojë nga ky izolim artificiai por arsye tjetër për marrjen e këtij vendimi nuk shoh. Kur blej diçka online ka 2 arsye pse e bëj:
- Ai malli që kërkoj nuk është disponibël në qytetin ku jetoj.
- Ai malli që kërkoj ka një çmim marrmendës të pajustifikueshëm në dyqanet në Shqipëri shumë herë më shumë se vlera që ka.
Në tërësi i gjithë ligji do dëmtojë shumë rëndë konsumuesit shqiptar me një fokus mbi moshën më të re, që preferon shërbimet online. Gjëra si këto realisht vështirësojnë jetesën në Shqipëri dhe i japin një arsye më shumë të rinjve që të kthehen në emigrantë.
E thënë kjo, fatmirësisht është hapur një peticion për kthimin e ligjit dhe mund ta aksesoni këtu. Para se të thoni që kjo nuk do të ndryshojë gjë do ju lutesha të merrnit pjesë, pasi të qenurit neutral në çështje të tilla është rrënja e problemit.