Updated on Prill 7, 2017
Pse problemi i aktitiveteve është konfirmimi i pjesëmarrjes
Kam shkruar dhe vjet rreth skenës së sipërmarrjes në Shqipëri që mendoj që është bërë akoma më e panavigueshme (mëgjithëse kanë dalë dhe disa iniciativa premtuese gjithashtu). Gjithë këto faktorë kanë çuar në një fenomen që po e quaj “Ngopje Aktivitetesh” këtu. Ka aq shumë aktivitete në Tiranë rreth teknologjisë, sipërmarrjes dhe fusha të afërta, sa që njerëzit kanë filluar të hutohen çfarë duhet të ndjekin dhe çfarë jo. Sidomos me rryma të reja në teknologji ku ka mungesë informacioni dhe nuk nxjerr dot një konkluzion për përmbajtjen e aktiviteteve pa e provuar vetë njëherë.
Të kujtohet para disa vitesh kur mezi prisje një aktivitet në fundjavë? Kam përshtypjen që shumë pak njerëz kanë atë ndjesi sot, pasi ka ndonjë aktivitet diku thuajse çdo ditë. Mendoj që kjo është pjesë e procesit dhe duhet kaluar (mëgjithëse do jetë një flluskë që do shpërthëjë në një moment them). Më kujtohet kur në Open Labs organizonim aktivitete dhe nga regjistrimet mund të kishim pak a shumë një ide sa shumë veta mund të vinin. Nëse për shembull në Facebook 25 veta kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ngjasat ishin që 15-20 veta do vinin. Ka qenë një avantazh që kanë patur të gjitha komunitetet në atë kohë, gjë që kam filluar të vlerësojë vetëm kohët e fundit. Sot ama, nuk janë të rralla rastet ku nën 50% e atyre që konfirmuan pjesëmarrjen, realisht marrin pjesë në aktivitet. Pse ndodh kjo? Kam ndjesinë që shumë njerëz konfirmojnë pjesëmarrjen në sa më shumë aktivitete për t’u siguruar që nuk humbin gjë, duke mbivlerësuar veten tejet shumë.
Por kam një thirrje këtu: Të lutem të lutem duhet evituar konfirmimi në një aktivitet nëse nuk ke realisht ndërmend të marrësh pjesë. Të organizosh aktivitete është punë tëpër e madhe dhe nuk është thjesht një lënie orari për t’u takuar në filan vend. Gjëja minimale për organizuesit është që të thoni nëse nuk vini dot. Sidomos kur aktivitetet janë komplet pa pagesë dhe kërkojnë buxhet për t’u organizuar (p.sh. për pije, ushqim dhe udhëtimin e folësve jashtë qytetit/shtetit).
Ka dhe një gjë tjetër të keqe kjo: Në raste kur një aktivitet ka më të vertëtë shumë interes, të vjen si surprizë se “Ehaa, gjysma do vijë gjithsesi në fund” dhe kur në fakt vijnë aq sa konfirmuan. Kjo duhet të ishte norma, por fatkeqësisht nuk është.
Se t’i bie shkurt; mos konfirmoni pjesëmarrjen në aktivitete kur nuk merrni pjesë. Supozohet të jetë e vetëkuptueshme kjo, por me sa duket nuk është. Morali është i thjeshtë.